Politike

Mbledhja për shkarkimin, Këshilli Bashkiak letër Veliajt: Nëse s’merr leje, dërgo pretendimet me shkrim

Nga Gazeta ‘Si’- Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar me një letër kryebashkiakut Erion Veliaj një ditë para mbajtjes së mbledhjes ku do të diskutohet për shkarkimin e tij.

Veliaj, i cili prej 10 shkurtit mbahet në qeli, i dorëzoi Këshillit Bashkiak të premten një letër ku kërkonte që para se të merret vendimi për shkarkimin, ai të dëgjohet.

Nisur nga kjo kërkesë, Këshilli Bashkiak i ka dërguar Veliajt një letër në qeli, ku i thotë se në rast të pamundësisë për të marrë pjesë në mbledhje, të gjitha pretendimet e tij mund t’i dërgojë me shkrim.

“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcilini me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në letrën dërguar Veliajt.

Me këtë shkresë, të Këshillit, përgjegjësia bie direkt mbi Drejtorinë e Burgjeve, i cili është edhe institucioni që me autorizim të SPAK, jep lejen e posaçme. Por në fakt, në Drejtorinë e Burgjeve ende nuk ka një kërkesë nga ekipi ligjor i Veliajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë