Politike

Mbledhja e përbashkët, Rama kërkon turistë nga Mali i Zi, malazezët kërkojnë energjinë

Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi është poshtë potencialit real që ka dhe këto kanë qenë kryetemat e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, mbajtur këtë të martë në qytetin e Shkodrës.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Kryeministri Edi Rama shoqëroi në tryezën e takimit të përbashkët homologun malazez, Dushko Markoviç dhe kabinetin e tij.

Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Mali i Zi sa i takon turizmit dhe pikërisht në këtë fushë, Kryeministri Edi Rama kërkoi me shumë bashkëpunim. Synimi është që vendi ynë të përfitojë nga imazhi që kanë malazezët në tërheqjen e turistëve të huaj.

"Sa i përket zhvillimit të turizmit duhet të kemi një komunikim me investitorët. E kemi dëgjuar më shumë se një herë nga ana e tyre që të zgjerojmë bashkëpunimin dhe investimet, kapacitetet akomoduese në mënyrë që të gjithë turistët që drejtohen drejt kësaj zone, duke patur si pikë referimi Malin e Zi të zgjerojnë kufirin”, tha Rama.

Nga ana e tij, Kryeministri malazez kërkoi që të hidhen pas krahëve ato pak ndasi që kanë mbetur mes dy popujve dhe të forcohet bashkëpunimi. U përqendrua tek lufta ndaj krimit dhe sektori energjitik. Dushkoviç kërkon shtimin e kapaciteteve të ndërveprimit mes dy vendeve në këtë fushë, vlerëson projektet e realizuara deri më tani, por thotë se nuk janë të mjaftueshme.

Kryeministri malazez propozoi gjithashtu që pas mbledhjes së përbashkët të qeverive, të mbahet një forum i përbashkët i biznesit nga të dyja anët e kufirit.

Një prej marrëveshjeve që është shtruar në tryezë është edhe ajo e luftës ndaj krimit dhe trafikut të drogës dhe qënieve njerëzore. Pikërisht trafiku i refugjatëve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme, e që përmes Shqipërisë kalojnë më pas në Mal të Zi për të përfunduar në një nga vendet e BE-së.

Fluksi nuk është në nivelet e korridorit Maqedoni-Serbi-Hungari të 2015, por rritja e numrit të refugjatëve ka shqetësuar Bashkimin Europian dhe vende anëtare të tij. Një prej këtyre vendeve është Hungaria. Budapesti mbylli kufijtë e vet duke vendosur tela me gjemba dhe të njëjtën gjë i sugjeron Malit të Zi.

Sipas mediave vendase, Hungaria i ka ofruar 25 kilometra tel me gjemba Malit të Zi dhe nëse kjo ofertë pranohet, kuptohet lehtësisht që gjasat janë që telat të vendosen në vijën kufitare me Shqipërinë.

Temë diskutimi ka qenë edhe integrimit. Dy Kryeministrat folën për ndihmë të ndërsjelltë në këtë proces, megjithëse Mali i Zi edhe në këtë pjesë është para Shqipërisë, e konfirmuar kjo edhe nga strategjia e zgjerimit të Bashkimit Europian, që e sheh këtë vend, së bashku me Serbinë si dy vende pararojë në rajon përsa i takon anëtarësimit të plotë, madje në raport përmendet edhe viti 2025 si afat konkret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë