Edhe pse kjo është mbledhja e gjashtë e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, takimi i përbashkët në Tiranë ishte si asnjë tjetër, duke u mbajtur në mes të një pandemie botërore..
Gjatë këtij takimi, i cili planifikohej të mbahej në Shkodër, por u shty për shkak të zhvillimeve politike në Prishtinë, kryeministrat Edi Rama dhe Avdullah Hoti, nënshkruan plot 14 marrëveshje mes dy shteteve.
E para është dogana në Durrës (për Kosovën) dhe hidrocentrali për Kosovën që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë. Të dyja vendet kanë nënshkruar disa marrëveshje ndër vite me njëra tjetrën.
Në përpjekje për ta çuar bashkëpunimin përtej letrave, dy kabinetet nënshkruan po ashtu një deklaratë të përbashkët që ngarkojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve.
Një nga marrëveshjet është linja hekurudhore Prizren-Durrës, e cila është edhe një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Uashington nga Kosova dhe Serbia.
Hoti ka qënë i pari që ka folur prej kohesh për marrëveshjet që u nënshkruan sot ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Porti i Durrësit i lidhur përmes hekurudhës në Prizren-Prishtinë dhe vende të tjera është i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës së pari por edhe për vendet e tjera”, është shprehur ai.

Ndërkohë, në fjalën e hapjes, gjatë mbledhjes, kryeministri Rama tha se ambicia kryesore është heqja e kufirit Shqipëri-Kosove, por pa abuzuar me lëvizjen e lirë.
“Dua të theksoj hapjen e pikave kufitarë dhe përmirësimin e infrastrukturës Morinë- Vërmicë. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është me rëndësi që ministritë e Brendshme të intensifikojnë punën për të krijuar databasen e përbashkët dhe për të kontrolluar në kohë reale të gjitha hyrjet dhe daljet. Kjo do të na mundësonte hapjen e kufirit. Por pa abuzuar me lirinë e lëvizjes”, tha Rama, i cili foli edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Më herët, Kryeministri Edi Rama publikoi një letër nga Presidenti i SHBA, i cili e falenderonte për rreshtimin e Shqipërisë kundër teknologjisë 5G kineze, dhe i kërkonte në të njëjtën kohë të dilte nga nisma 17+1 e Pekinit dhe të zhvendoste gjithashtu Ambasadën në Jeruzalem.
Rama gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e përbashkët e preku indirekt këtë çështje, duke folur vetëm për 5 G.
“Vendet e rajonit tonë duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5 G të bazuar në një rrjet të sigurt në cdo aspekt dhe sigurisht duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës dhe që përsa na takon si Shqipëri është një ofertë e dyshimtë…”, tha ai.
Kjo është lista e marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve dhe dokumenteve tjera që u miratuan:
- Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
- Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
- Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
- Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
- Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
- Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
- Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
- Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
- Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
- Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
- Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës ;
- Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
- Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
- Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








