Sociale

Mbledhja e Komitetit Olimpik/ Rama: Mos investoni për futboll në biznese private se nxisin evazionin fiskal

Kryeministri Edi Rama tha sot se duhet të krijohen programe sportive për të rinjtë në të gjithë territorin e vendit dhe se bashkitë duhet të investojnë në terrene sportive e jo në klube futbolli private. Deklaratat Rama i bëri gjatë një takimi me Komitetin Olimpik, ku kanë qenë edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu dhe ajo e Arsimit, Evis Kushi. Gjatë fjalës së tij kryeministri .
“Përqendrimi i fëmijëve është më i madh te elektronika dhe i munguar në pjesë të tjera të rëndësishme dhe të pa zëvendësueshme të njeriut. Programi i sportit sigurisht që do të na ndihmojë për të filluar një spostim të rëndësishëm të aktivitetit nga pjesa e aktivitetit që sot zhvillohet në qytete të ndryshme e informale, në rrethe sportive që janë në informalitet të plotë”, shpjegoi Rama.

Më tej ai shpjegoi se pjesa më e madhe e Bashkive nuk japin përgjigje për disa kërkesa shumë elementare të bërë nga ministrja për Rininë, e më pas edhe Komiteti Olimpik, për të pasur dijeni për terrenet që janë në dispozicion.
“Inventarin e palestrave, shkollave, s’e kemi të vështirë ta bëjmë. Po flasim për terrenet sportive në dispozicion, ato që janë të hapura dhe ato që janë potencialisht të transferueshme në potenciale sportive. Më pas do të vendosim se si do të shpërndajmë financimet me bashkitë për këto terrene. Palestër si ajo kur luante ekipi i Studentit ku ishte në kategori të parë s’kanë sot shkollat. I kanë më optimale kushtet”, shtoi Kryeministri.

Sipas kryeministrit fondi në dispozicion është i konsiderueshëm, kështu organizmi duhet të jetë domethënës.
“Na duhet një rishikim nga ana juaj si Bashki i qasjes me fondet e sportit. Harxhohen lekë për futboll për biznese private kot. Duhet ndërtuar një qasje tjetër, me të ardhurat nga taksat, jeni të gjithë në të drejtën e zotit dhe detyrimin ndaj qytetarëve të financoni sportin për të gjithë. Nuk mundet dot që me paratë e taksapaguesve të stimulohet rrugaçëria, shëmtia, pisllëku, nuk mundet. Bashkitë duhet të futen në bashkëpunim me klube futbolli, por mund të hyjnë për të mbarë mbrapsht investimin”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë