Gazeta Si – Pasuritë e ish-drejtoreshës në Ministrinë e Financave, Alda Klosi, dhe ish-bashkëshortit të saj janë konfiskuar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sipas SPAK, rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga Alda Klosi.
Janë konfiskuar shumat monetare 368.000,00 Lekë, 15.600,00 USD dollarë amerikan, 462.950,00 Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023, apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K. dhe garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.
Ish-funksionarja gjatë kohës kur Ministria e Financave drejtohej nga Arben Ahmetaj u gjet fajtore për mos deklarim të të ardhurave, një krim i zbuluar pas denoncimit se banesa e saj ishte vjedhur.
Alda Klosi, zyrtare e Ministrisë së Financave, gjatë kohës që drejtohej nga Arben Ahmetaj, ra viktimë e vjedhjes në banesë nga sanitarja e saj, Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi.
Pas denoncimit që vetë Klosi bëri se sanitarja i kishte vjedhur nga banesa sende me vlerë dhe qindra mijëra euro prokuroria zbardhi edhe skandalin me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë prej saj.
Përfundimisht Klosi u dënua me burg me 2 vite e 6 muajpor me pranimin e gjykimit të shkurtuar i takonte të vuante 20 muaj burg. Ajo e kreu dënimin dhe aktualisht është e lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.