Nga Gazeta Si- Shqipëria po njeh rritje të sëmundshmërisë nga Parkinsoni në 5 vitet e fundit. Nga të dhënat që disponon Gazetasi.al, referuar studimit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, shihet se në vitet 2018-2023 janë mbi 32 mijë raste të diagnostikuara me Parkinson.
ISHP thotë se shifrat ndër vite kanë ardhur në rritje, kryesisht për popullatën që jeton në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Fier, Dibër dhe Berat.

Referuar këtyre të dhënave, numri më i lartë i rasteve i përket vitit 2019-2020 përkatësisht 6652 persona të prekur nga Parkinson në 2019 dhe 6465 raste në 2020.
Sipas të dhënave të ISHP, nga rastet e konstatuara në 5 vitet e fundit, shihet një dyfishim i numrit të meshkujve në raport me gratë.
Kështu, në vitin 2018, janë evidentuar 4090 raste të Parkinson tek meshkujt dhe 2314 tek femrat. Shifrat kanë ardhur në rritje kryesisht në vitin 2019 ku kemi 4249 meshkuj dhe 2403 femra me Parkinson.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, në totalin e rasteve, 32.110 të periudhës 2018-2023, dominojnë meshkujt, ku prevalenca për 100 mijë banorë është 297.6 për meshkujt dhe 165 për femrat.
Çfarë është sëmundja e Parkinsonit?
Parkinson është një çrregullim i trurit që shkakton lëvizje të paqëllimshme ose të pakontrollueshme, të tilla si dridhje, ngurtësi dhe vështirësi me ekuilibrin dhe koordinimin.
Simptomat zakonisht fillojnë gradualisht dhe përkeqësohen me kalimin e kohës. Ndërsa sëmundja përparon, njerëzit mund të kenë vështirësi në ecjen dhe të folurin. Ata gjithashtu mund të kenë ndryshime mendore dhe të sjelljes, probleme me gjumin, depresion, vështirësi në kujtesë dhe lodhje.
Ndërsa pothuajse çdokush mund të jetë në rrezik për zhvillimin e Parkinsonit, disa studime kërkimore sugjerojnë se kjo sëmundje prek më shumë burrat sesa gratë. Është e paqartë pse, por studimet janë duke u zhvilluar për të kuptuar faktorët që mund të rrisin rrezikun e një personi.
Një rrezik i qartë është mosha: Megjithëse shumica e njerëzve me Parkinson e zhvillojnë për herë të parë sëmundjen pas moshës 60 vjeç, rreth 5% deri në 10% përjetojnë fillimin para moshës 50 vjeç.
Format e hershme të Parkinsonit janë shpesh, por jo gjithmonë, të trashëguara dhe disa forma kanë qenë të lidhura me ndryshime specifike në gjene.
Çfarë e shkakton sëmundjen e Parkinsonit?
Shenjat dhe simptomat më të dukshme të sëmundjes së Parkinsonit ndodhin kur qelizat nervore në ganglion bazale, një zonë e trurit që kontrollon lëvizjen, dëmtohen dhe/ose vdesin.
Normalisht, këto qeliza nervore, ose neurone, prodhojnë një kimikat të rëndësishëm të trurit të njohur si dopaminë.
Kur neuronet vdesin ose dëmtohen, ato prodhojnë më pak dopaminë, e cila shkakton probleme të lëvizjes që lidhen me sëmundjen. Shkencëtarët ende nuk e dinë se çfarë i shkakton neuronet të vdesin.
Parkinson, pse është dy herë më e shpeshtë tek meshkujt?
Një studim nga Instituti La Jolla për Imunologji (LJI), Kaliforni, i botuar në “The Journal of Clinical Investigation”, përpiqet t’i përgjigjet provave epidemiologjike ku shihet se gjithçka është e lidhur me sistemin imunitar dhe me një proteinë në qelizat e trurit, e cila jo vetëm që do të ishte përgjegjëse për fillimin e sëmundjes, por do të shpjegonte edhe pse Parkinson – sëmundja e dytë neurodegjenerative më e zakonshme – prek më shumë meshkujt sesa femrat.
Studiuesit, të cilët kanë studiuar sëmundjen prej vitesh, kanë gjetur prova në rritje që lidhin rolin e sistemit autoimun me shfaqjen e Parkinsonit.
Në studimin e fundit, një hap tjetër përpara: proteina PINK1 duket se është në gjendje të nxjerrë në pah disa qeliza të trurit, duke i bërë ato objektiva të sulmit nga qelizat imune.
Proteina PINK1 ndihmon qelizat e trurit të rregullojnë mitokondritë, termocentralet e qelizave. Studiuesit kanë zbuluar se disa pacientë me Parkinson kanë qeliza T që gabimisht shënojnë PINK1 si një objektiv, një lloj flamuri i kuq, që kontribuon në inflamacion dhe vdekjen e qelizave të trurit.
Ky studim i ri shpjegon gjithashtu pse sëmundja e Parkinsonit është dy herë më e zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat.
Shkencëtarët e LJI – në fakt – zbuluan se pacientët meshkuj të Parkinsonit kishin një rritje gjashtëfish në qelizat T specifike të PINK1, krahasuar me pjesëmarrësit e shëndetshëm meshkuj në studim.
Gratë me sëmundjen e Parkinsonit, nga ana tjetër, kishin një rritje prej vetëm 0.7 krahasuar me gratë e shëndetshme që morën pjesë në studim.
Por PINK1 nuk është objektivi i vetëm i rëndësishëm i qelizave T, ose antigjeni, në pacientët me Parkinson.
Hulumtimet e mëparshme nga ekipi i Sette dhe Lindestam Arlehamn kanë treguar se shumë pacientë me Parkinson kanë qeliza imune që synojnë një proteinë të quajtur alfa-sinukleinë.
Sidoqoftë, përgjigja e qelizave imune ishte e lidhur me inflamacionin e trurit dhe fillimin e sëmundjes së Parkinsonit.
Megjithatë, jo të gjithë pacientët e kanë këtë përgjigje ndaj alfa-sinukleinës, kjo është arsyeja pse studiuesit e LJI kanë intensifikuar kërkimin e tyre për antigjene të tjera që mund të përfshihen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.