Kosova

Mbi 31 mijë kosovarë morën leje qëndrimi në BE gjatë 2020-s

31654 qytetarë të Kosovës kanë marrë leje qëndrimi në shtetet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2020, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave.

Sipas tyre, kosovarët kanë marrë më shumë leje qëndrimi në Gjermani(15895) pasuar nga Kroacia (4488), Sllovenia (3904), Franca (1577) dhe Italia me 1388 leje qëndrimi të lëshuara për shtetasit kosovarë.

Kosova është në vendin e 17-të për sa u përket leje qëndrimeve, prapa Shqipërisë (vendi 14 me 37592 leje qëndrime) dhe Serbisë (vendi 13 me 40872 leje qëndrime).

Qytetarët e shteteve jashtë BE-së që kanë marrë më së shumti leje qëndrimi në shtetet e BE-së janë ata të Ukrainës, me gjithsej 601 200 leje qëndrimi.

Pastaj janë qytetarët e Marokut – 123 400 leje qëndrimi dhe të Indisë me 79 270 leje qëndrimi.

Qytetarët e këtyre tri vendeve përbëjnë më shumë se një të tretën (36%) e të gjitha lejeve të qëndrimeve që janë lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së në vitin 2020.

Gjatë vitit 2020 Polonia është vendi që ka lëshuar më së shumti leje qëndrimi – 598 000 nga 2.2 milionë leje qëndrimi të lëshuara në BE për shtetas jo të BE-së (26%). Pas saj është renditur Gjermania, me 313 000, apo 14% dhe Spanja me 312 000 leje qëndrimi, apo 14% e të leje qëndrimeve totale.

Në vitin 2020, rreth 2.2 milionë leje qëndrimi u lëshuan në BE për qytetarët jorezidentë të BE-së. Ky numër është ulur me 24% (ose -706 000) krahasuar me vitin 2019, rënia e parë e thellë në trendin rritës të vërejtur mes viteve 2013 dhe 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë