Shendet

Mbi 30 mijë dhurime gjaku deri tani, por ende janë të pamjaftueshme

Nga Gazeta Si – Edhe pse nga janari e deri më tani janë bërë mbi 30 mijë dhurime gjaku, përfaqësues të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut thonë se janë të pamjaftueshme pasi spitali i Traumës dhe QSUT kanë më shumë nevojë për njësi gjaku për shkak të emergjencave të shumta.

“Ka gjithmonë një stok dhe në momentin që ne kalojmë një emergjencë, ne kërkojmë që të zëvendësohen këto njësi gjaku që janë përdorur për rastin emergjent. Patjetër kemi spitalin e Traumës, spitalin “Nënë Tereza” apo spitale të tjera private që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale. Familjarët janë ata që kanë ndërhyrje të planifikuara kirurgjikale, por edhe ata që në fazën e parë kanë pësuar urgjencë, është mbuluar dhe më pas kërkohen familjarët për të zëvendësuar gjakun”, thotë Viola Shano nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.

Pavarësisht stokut në Bankat e Gjakut nevojiten edhe më shumë dhurime për të mbuluar kërkesat.

“Qendra e Gjakut dhe Bankat e Gjakut që janë të vendosura nëpër spitale kanë një stok rezervë për të mbuluar rastet e emergjencave apo urgjencave. Kemi 25% dhurime vullnetare dhe pjesa tjetër janë familjare. Ne ende kemi nevojë për dhurues vullnetarë në mënyrë që të plotësojmë 100% kërkesat për gjak.”

Në total në të gjithë vendin duke mbledhur dhurimet familjare dhe ato vullnetare në Tiranë dhe në rrethe, nga janari-tetor të këtij viti ka mbi 30 mijë njësi gjaku të mbledhura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë