Bota

Mbi 1200 viktima nga sulmet izraelite në Gaza, vetëm 4 ditë ujë dhe energji për spitalin

Nga Gazeta ‘Si’-Numri i të vdekurve në Rripin e Gazës nga bombardimet izraelite gjatë gjashtë ditëve të fundit ka shkuar në 1.200 të vdekur dhe rreth 5.600 të plagosur.

Të paktën 51 persona humbën jetën dhe 281 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera mbrëmjen e djeshme. Sulmet goditën Gazën, Jabaliya, Sabra, Al Zaytoun, Al Nafaq, Tal Al Hawa dhe Khan Younis.

Punonjësit e urgjencës në Gaza kanë nxjerrë trupat e 18 personave nga rrënojat e dy shtëpive të shkatërruara në Khan Younis në jug të Gazës. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa mes viktimave janë edhe nëntë fëmijë.

Spitalet në të gjithë Gazën po përballen tashmë me një mbi-kapacitet për shkak të viktimave në rritje.

OKB ka deklaruar se 338.934 palestinezë janë zhvendosur në Gaza, ndërsa sulmet shkatërruese të bombardimeve të Izraelit vazhduan gjatë natës. Për ish-shefin e Human Rights Watch, Kenneth Roth “sulmi i padiskutueshëm dhe joproporcional ndaj civilëve palestinezë mund të përbëjë një krim lufte”.

Izraeli “po kryen një sulm në shkallë të gjerë” në objektivat e Hamasit në Gaza, thanë forcat e mbrojtjes izraelite të enjten herët, ndërsa konflikti hyn në ditën e gjashtë.

Hamasi po mban rreth 150 pengje në Gaza, ku kriza humanitare po përhapet me shpejtësi. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje që furnizimet për shpëtimin e jetës, si ushqimi, karburanti dhe uji, duhet të lejohen në Gaza

Vetëm 4 ditë ujë dhe energji për spitalin në Gaza

Spitalit kryesor në qytetin e Gazës i kanë mbetur vetëm katër ditë karburant për gjeneratorët e tij, thonë grupet e ndihmës. Rrethimi i Izraelit do të thotë se ushqimi dhe uji i pastër po mbarojnë.

Pa energji për pompat, ujërat e zeza të papërpunuara po grumbullohen në disa rrugë.

Egjipti fqinj po bën thirrje për një armëpushim humanitar gjashtë-orësh për të marrë ndihma.

Bombardimi ka shënjestruar edhe gjykatën e Gazës. U godit edhe porti i ri, i cili ishte në ndërtim e sipër. Anijet luftarake izraelite kanë në shënjestër pjesët bregdetare të Gazës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë