Gazeta Si - Pesë shtetas nga Kosova janë kapur në flagrancë, duke futur barna kontrabandë në Shqipëri, ku dyshohet se i kanë përdorur si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Policia thotë se ata janë arrestuar në Rinas dhe njërit prej tyre i janë gjetur me vete 300 mijë euro. Nga verifikimet e kryera, barnat janë të blera në Japoni, dhe do të kalonin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë.
"Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transit”. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç”, njoftoi policia.
Sipas policisë, në 14 valixhe, bagazhe të të arrestuarve, janë gjetur mbi 1 milion tableta të dyshuara të kontrabanduara me peshë 417 kg. Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit B.Z., iu gjetën edhe 300 mijë euro që ai nuk i kishte deklaruar.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit synonin që t’i dërgonin përfundimisht në Kosovë barnat e blera në Jordani.
“Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.