Anketa Paraprake Strukturore e ndërmarrjeve tregon se gjatë vitit të shkuar, kanë falimentuar më shumë se 1.500 biznese me rënie të përgjithshme të tyre me 1.5% dhe rënie e të punësuarëve me 5.2%.
Sipas Instat që realizon dhe anketën, gjatë vitit të kaluar, ndërmarrjet në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.147 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rënie me 5.1 %, krahasuar me vitin 2019.
Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rënien prej 5.1 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me -3.1 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me -2 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2020, sektori i tregtisë zuri peshën më të lartë të shitjeve neto me 48%, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 12%. Sektorët me peshën më të vogël ishin sektori i industrisë nxjerrëse (2.3 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (2.5 %).
Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, ndikuan negativisht prodhuesit e shërbimeve me 0.8 pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave me 0.7 pikë përqindje.
Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve ishte tregtia me 39.6% të totalit, ndjekur nga sektori i shërbimeve me 23.8% dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve me 16.4%
Gjatë 2020, sektori i i energjisë elektrike dhe ujit pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0.6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.
Rënia e forcës së punës me 5.2% u ndikua nga prodhuesit e shërbimeve me -3.8 pikë përqindje dhe prodhuesit e të mirave me -1.4 pikë përqindje.
Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2020 ishin sektori i tregtisë me 25.5 % të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 20.5 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 19.8 % të të punësuarve gjithsej.
Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, në vitin 2020, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 1.3 % të ndërmarrjeve aktive kanë dhënë kontributin kryesor në ekonomi duke realizuar 40.8 % të të punësuarve gjithsej dhe 46.2 % të shitjeve neto.
Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +0,3 pikë përqindje, ndërsa ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kontribuuan negativisht me 3,0 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.