Nga Gazeta ‘Si’- Ndryshe nga kolegët e tij, në seancën parlamentare deputeti i PD Agron Shehaj foli për çështjen e mbetjeve toksike, duke kërkuar shpjegime zyrtare nga institucionet përgjegjëse se çfarë po bëhet me to dhe veçanërisht nga ministri i Brendshëm.
Shehaj hodhi akuza duke thënë se gjysma e qeverisë është e përfshirë në këtë skandal të trafikut të mbetjeve toksike.
“Një anije me kontejnerë të trafikuar me mbetje toksike ndodhet në portin e Durrësit dhe ministri i Brendshëm duhet të japi përgjigje se çfarë po bëhet. Nuk u dha asnjë shpjegim. Opinioni publik do ta dije çfarë po bëhet me mbetjet, të shpjegohet, ta dinë qytetarët.
Pse ndërprisni, çfarë ju shqetëson? Ju shqetëson sepse gjysma e qeverisë është e përfshirë në këtë skandal, në trafikimin e mbetjeve toksike! Duhet të zbatoni urdhrin e Prokurorisë, çfarë po ndodh me mbetjet? Ju i keni thënë që po mundoheni, s’është e lehtë të lëvizësh 102 kontejnerë? Kur të ketë çështje tjetër do ju informojmë! Po ju nuk mendoni se duhen informuar qytetarët? Nuk ju shqetëson kjo zoti ministër? Mund të na tregoni dreqin çfarë po bëni?”, tha Shehaj.
Si përgjigje, ministri i Brendshëm u shpreh se shumë shpejt kontejnerët do të zbresin në një hapësirë publike.
“I nderuar zoti Shehaj! Në lidhje me informacionin e kërkuar, Prokuroria e Durrësit ka bërë njoftim publik në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Agjencinë Doganore, Autoritetin Portual se po ekzekuton urdhrin dhe së shpejti do zbresin kontejnerët në vend të sigurt, sipas kushteve dhe çështjeve të sigurisë, në ambientet e Durrësit, siç është kërkuar nga Prokuroria”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




