Drejtësia

Mbetet në burg turko-shqiptari i ekstraduar nga Bullgaria

Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për turko-shqiptarin Rexhep Ipek.

Ipek është ekstraduar nga Bullgaria më 21 Janar të këtij viti, në zbatim të një urdhërkërkimi ndërkombëtar të shtatorit 2019, së bashku me 31 persona të tjerë, në kuadër të operacionit Limit.

Mbrojtësit e Rexhep Ipek, Avokat Arbër Hoxha dhe Avokat Dritan Metani u shprehën se: “Gjykata duhet të mbante parasysh jo vetëm rrezikshmërinë e faktit, por edhe atë të autorit, sidomos për fazën proceduriale në të cilën ndodhet procesi. Ndaj vendimit do ushtrojmë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit”.

Shtetasi turko-shqiptar, Rexhep Ipek u arrestua disa ditë më parë dhe është ekstraduar nga Bullgaria në Shqipëri. 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal i goditur në vitin 2019 për trafikimin e kokainës.
4 grupet kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së u shkatërruan pas 3 vitesh hetime.
Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor “Limit” me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë), ku janë arrestuar 17 persona, ndërsa 6 të tjerë janë aktualisht në burg, të arrestuar më herët, ndërkohë 7 janë në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë