Ka ndodhur

Mbetën të bllokuar në malin e Bogës, shpëtohen pas 12 orësh 5 alpinistët nga Tirana

Gazeta Si – Një grup prej 5 alpinistësh nga Tirana, të cilët kishin mbetur të bllokuar të dielën në malin e fshatit të Bogës, janë shpëtuar gjatë mesnatës pas 12 orësh nga Policia e Shkodrës.

Gjatë eksplorimit të natyrës në Majën e Çardakut, alpinistët hasën vështirësi, ndërsa njëri prej tyre pësoi lëndime në këmbë, duke bërë që ekspedita e tyre eksploruese të përfundojë para kohe.

Në këto kushte, grupi i alpinistëve kërkuan ndihmë, ndërsa autoritete u vunë menjëherë në lëvizje duke bërë të mundur evakuimin e tyre dhe transportin drejt qytetit të Shkodrës. Alpinisti i lënduar u dërgua në spitalin e Shkodrës dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Ndërhyrja për shpëtimin e tyre ishte tepër e vështirë për shkak të pranisë së madhe të akullit. Sipas burimeve, ata ishin nisur në orët e paradites për eksplorim, por në zbritje njëri nga udhëtarët ka rrëshqitur dhe ka thyer këmbën.

Dy prej turistëve arritën të zbresin, ndërsa tre të tjerët mbetën të izoluar.

Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile se bashku me Shërbimin e Kërkim Shpëtimit Malor ka arritur t’i japë ndihmën e parë turistit dhe pasi e kanë vendosur në barelën speciale për të tilla raste, kanë filluar procedurën e zbritjes nga mali.  

Terreni në Bogë është mjaft i thyer dhe ka shumë akull në këtë sezon të dimrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë