Drejtësia

Mbeten në burg policët e arrestuar pas vetëvrasjes së 31-vjeçarit në Kavajë

Gazeta Si – Mbeten në burg tre punonjësit e policisë të arrestuar pas vetëvrasjes së Ilvi Metës brenda dhomave të sigurisë.

Gjykata e Kavajës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj Pertit Brahimajt me detyrë nënkomisar, Bexhet Berberit dhe Rushit Kolës, me detyrë inspektor.

Mbi të arrestuarit, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Avokati i policëve, kërkoi një masë më të butë sigurie, duke u shprehur se “nuk ka fajtorë aty, mund të ketë pakujdesi, por jo veprime me dashje”. Ai theksoi se të mbrojturit prej tij nuk janë të rrezikshëm, ndaj duhet të lirohen.

Ilvi Meta, i riu që i dha fund jetës duke u vetëvarur me lidhësen e kapuçit të bluzës në ambientet e paraburgimit në 4 maj 2022.

Ai ishte arrestuar për vjedhjen e një banese në Kavajë, ngjarje e ndodhur në 2 prill 2022.

Edhe pse AMP kishte konstatuar se i riu ishte vetëvrarë me lidhësen e kapuçit të bluzës, një raport i Komitetit Shqiptar të Helsinkit hedh hije dyshimi mbi këtë ngjarje.

Sipas KSHh-së, një prej policëve të arrestuar, kishte paralajmëruar se Ilvi Meta mund të vetëvritej, duke lënë shënim në librin e Regjistrit të Evidentimit të të Dhënave për Personat e Shoqëruar.

Në gjetjet e vëzhguesve të Komitetit, raportohet edhe se orari kur është lënë shënimi, ka mospërputhje me atë kur mjeku këqyri nga afër trupin e pajetë të të ndierit.

Për ngjarjen reaguan edhe familjarët të viktimës, të cilët akuzuan policinë për dhunë, duke hedhur poshte pretendimet që 31-vjeçari të jetë vetëvarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë