Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi sot në seancën plenare thirrjen e Ministrit të Brendshëm për sqarime lidhur me situatën e krijuar para SPAK dhe GJKKO gjatë seancës për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.
Bardhi tha se ministri gënjeu Parlamentin lidhur me reagimin e policisë gjatë dhënies së vendimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe kërkoi dorëheqjen e tij.
“Ministri dezinformoi publikun duke pretenduar se Policia nuk kishte dijeni për tubimin e organizuar para institucioneve të drejtësisë. Ministri i Brendshëm jo thjeshtë duhet të dorëhiqet, por duhet të shkarkohet nga Kuvendi, se ka gënjyer publikisht deputetët e Kuvendit kur tha se nuk ka patur asnjë njoftim. Madje, qëndrimi i Policisë së Tiranës ishte edhe më skandaloz.
Policia thonte se tubimi ishte krijuar në mënyrë spontane. Tubimi në mënyrë spontane quhet i paligjshëm dhe Policia ka për detyrë të ndërhyjë. Por qëllimi i tubimit ishte që Edi Rama t’u jepte mesazhin prokurorëve dhe gjyqtarëve, që me punonjës administrate dhe policë të armatosur në tubim i kërcënon jetën çdo prokurori dhe gjyqtari që nuk i bindet urdhrave të tij”, tha Bardhi ndërsa i kërkoi Spiropalit që të thërriste Hoxhën në seancë, së pari për mos veprimin e policisë, referuar tij, dhe së dyti për atë që Bardhi e quajti mashtrim institucional të Kuvendit dhe qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




