Ka ndodhur

Mbërritën sot në Shëngjin, katër emigrantë do të kthehen sërish në Itali

Nga Gazeta ‘Si’- Katër nga 49 emigrantët e paligjshëm që mbërritën sot në mëngjes në Shëngjin nga Italia, do të kthehen sërish në Itali, raporton Ansa.

Mësohet se në Itali do të kthehen tre të mitur dhe një i rritur.

Anija me 49 emigrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Bangladeshi mbërriti në vendin tonë sot rreth orës 07:30. Ky ishte grupi më i madh i emigrantëve që zbarkuan në vendin tonë, që pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali – Shqipëri.

Emigrantët iu nënshtruan disa procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse. Por mesa duket 4 prej tyre nuk kanë plotësuar kushtet për të qëndruar në Shqipëri dhe janë kthyer mbrapsht. Nuk ka detaje se për cilën arsye refugjatët u kthyen sërish në Itali.

Rinisja e marrëveshjes me Shqipërinë erdhi pas një ndalese prej rreth dy muajsh.

Transferimi i emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë, për të cilin kryeministrja Meloni ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës “Cassiopea”, e cila tashmë monitoron detin në Lampeduza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë