Ka ndodhur

Mbërrijnë në Shqipëri edhe 11.700 vaksina të kompanisë “Pfizer”

Mbrëmjen e të martës kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas 11.700 doza të tjera të vaksinës anti-Covid “Pfizer”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se 7020 doza janë nga kontrata e qeverisë  shqiptare me kompaninë “Pfizer” dhe pjesa tjetër 4.680 nga marrëveshja me Bashkimin Europian.

“11,700 doza të tjera të vaksinës Pfizer sapo kanë mbërritur në Shqipëri – pjesë e kontratës së qeverisë me kompaninë ‘Pfizer’ 7020 doza vaksine dhe një sasi e parë 4680 doza nga mbështetja e Bashkimit Europian” – tha ministrja.

Më herët, Manastirliu bëri me dije se të martën u kryen 19,886 vaksinime dhe që prej fillimit të vaksinimit  janë kryer 537,837 vaksina anti-COVID për qytetarët.

Në Shqipëri prej janarit po injektohen dozat e vaksinave “Pfizer” (SHBA), “Sinovac” (Kinë), “AstraZeneca” (anglo-suedeze) dhe “Sputnik V” (Rusi).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë