Ngjarje

Mbërrijnë emigrantët e parë në Shëngjin, 3 orë verifikime dhe intervista para se të dërgohen në kamp (Foto-video)

Nga Gazeta Si- Në orët e para të mëngjesit ka mbërritur në portin e Shëngjinit anija italiane “Libra” që transportoi emigrantët nga Italia, si pjesë e marrëveshjes mes kryeministrave Rama dhe Meloni. Në anijen e parë, nisur të hënën, ishin 16 emigrantë meshkuj.

 Menjëherë sapo anija ka mbërritur në portin e Shëngjinit, emigrantët janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.

Në mesin e tyre janë 10 emigrantë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, të cilët janë shpëtuar në det, pas nisjes nga Libia.

Emigrantët janë ndarë në grupe 4 e 4 dhe fillimisht u është ofruar ushqim dhe veshje. Më pas kanë nisur procedurat duke bërë verifikimet e duhura, që përfshijnë intervistat me to.

Kjo procedurë pritet të zgjasë deri në rreth 3 orë.

Pas verifikimeve, emigrantët do të dërgohen në kamp ku do të presin disa javë derisa të merret vendimi nëse i plotësojnë kushtet e azilit dhe do vendoset nëse do dërgohen në Itali apo do kthehen në vendin e tyre.

Marrëveshja Rama-Meloni është shembulli i parë i një vendi jo anëtar të BE-së që pranon emigrantë në emër të një vendi të BE-së dhe ka tërhequr interesin e vendeve të tjera perëndimore që kërkojnë të dekurajojnë numrin në rritje të emigrantëve që vijnë nga Afrika, Lindja e Mesme dhe më gjerë.

Marrëveshja e vitit 2023 me Shqipërinë parashikon që emigrantët e parregullt që mbërrijnë në Itali do të dërgohen me anije në Shëngjin, ku do të identifikohen dhe do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur. Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë