Ka ndodhur

Mbërrijnë 40 emigrantët nga Italia, anija ‘Libra’ ankorohet për herë të katërt në Shëngjin (foto,video)

Nga Gazeta ‘Si’- Dhjetëra emigrantë të paligjshëm, që janë ndaluar në Itali, mbërritën këtë të premte në portin e Shëngjinit.

Ata do të vendosen në kampin e Gjadrit, të ndërtuar nga autoritetet italiane.

Mësohet se këtë herë janë sjellë emigrantë që do të riatdhesohen në vendet e origjinës, pasi u është refuzuar azili.

Dy javë më parë, qeveria e Georgia Melonit vendosi t’i përdorë qendrat e Gjadrit dhe Shëngjinit për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.

Sipas ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për “riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit”. Me këtë vendim, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Emigrantët e paligjshëm, të ndaluar në qendrën e ndalimit të emigrantëve në Romë, do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar në vendet e origjinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë