Gazeta Si – Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, prezantoi këtë të enjte në një konferencë shtypi përmbylljen e mandatit 14-mujor të komisionit që ai drejtoi.
Xhafaj vlerësoi punën e bërë si një ndër proceset më gjithëpërfshirëse dhe profesionale që ka zhvilluar ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë, duke theksuar se komisioni përmbushi qëllimin për të cilin u ngrit.
Në lidhje me akuzat se komisioni synonte të ndikonte te drejtësia, Xhafaj e mohoi kategorikisht këtë. Ai tha se asnjë ndërhyrje nuk është bërë në kompetencat e institucioneve të drejtësisë dhe se dokumentet nuk përmbajnë asnjë masë që prek reformën në drejtësi.
“Qëllimi ynë nuk ishte të kapnim SPAK-un apo institucionet e drejtësisë, por të hartonim dokumente që ndihmojnë integrimin, – theksoi ai. – Këto interpretimet e superkomisionit, që do kapte drejtësinë, do kapte SPAK-un, ma bëni me dije pas 14 muajve pune të Komisionit, ku gjendet në një faqe të dokumentit dhe punës? Kur të ma gjeni ma bëni me dije, se u thanë shumë gjëra”, shtoi Xhafaj.
AI gjithashtu tha se maxhoranca nuk ka kërkuar ndonjëherë që njerëzit e drejtësisë të jenë pjesë e Komisionit dhe as të institucioneve të pavarura.
“Ata janë të pavarur dhe detyrimi i tyre lind nga kjo pavarësi. Ne u thamë atyre që mblidhuni ju vetë me grup ekspertësh dhe bëjeni vetë një analizë. Nuk u thamë ejani ju te ne. Është e gabuar mënyra se si interpretohet. Ne nuk i detyruam as u ndërhymë në kompetenca. Në u thamë bëni analizë dhe na thoni çfarë ndryshime doni. Nuk u kemi thënë asnjëherë ejani ju në Komision me grup ekspertësh, na një numër arsyesh, nuk është Komisioni, por mund të ketë ndër ta që nuk duan ta bëjnë këtë”, tha ai.
Sipas tij, rezultati më i rëndësishëm i punës së komisionit është hartimi i dy dokumenteve kombëtare: një analizë e thelluar me 709 faqe dhe Plani Kombëtar i Veprimit me 238 masa konkrete për mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Këto dokumente, tha ai, do të shërbejnë si baza për negociatat me Bashkimin Europian dhe për reformimin e vetë Kuvendit.
“Komisioni ka funksionuar mbi katër parime: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe standarde ndërkombëtare. Metodologjia e ndjekur është një model që mund të përdoret edhe në procese të tjera reformuese,” u shpreh Xhafaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




