Euro2024

Mbappe thyen hundën… a rrezikon të humbasë Europianin?

Nga Gazeta 'Si'-Franca fitoi ngushtë ndaj Austrisë me një autogol të shkaktuar nga mbrojtësi Wober. Por nisja e mbarë e Euro 2024 nuk solli gëzim në kampin e “Gjelave”, pasi kapiteni Kylian Mbappé la fushën i larë në gjak dhe me hundën e thyer pas përplasjes me Danso.

25-vjeçari pësoi një goditje të fortë në hundë nga dueli ajror dhe hipoteza paraprake ishte thyerja e septumit të hundës. Një dëmtim që edhe trajneri Didier Deschamps e konfirmoi menjëherë pas ndeshjes me sytë plot tension dhe mimika që tregonin shqetësim të lartë.

“Me sa duket hunda nuk është aspak në vendin e duhur, do ta shohim. Është e meta e mbrëmjes, për ne është një problem i madh”, tha Deschamps.

Menjëherë pas përfundimit të sfidës Mbappe është dërguar me urgjencë në një spital në Dusseldorf, fillimisht me idenë për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në hundë. Por në mbrëmje vonë nga Federata Franceze konfirmuan se sulmuesi i ishte nënshtruar ekzaminimeve radiologjike dhe në ditët në vijim do të kryejë një trajtim, pa operacion.

Presidenti i Federatës Franceze Philippe Diallo u tha gazetarëve të hënën në mbrëmje duke u larguar nga Düsseldorf: "Jo operacion, do të jetë mirë".

Mbappe është rikthyer sakaq në kampin e “Les Blues” që ndodhet pranë Paderborn dhe për të do të përgatitet një maskë në mënyrë që numri 10 i Francës të zbresë sërish në fushë pas një periudhe kushtuar trajtimit.

Mjekët që kanë komentuar sakaq incidentin kanë sugjeruar që Mbappe mund të jetë jashtë fushës për të paktën dhjetë ditë nëse do të kryejë një operacion duke e vënë në dyshim serioz vazhdimësinë e tij me Francën në Euro 2024.

Ish-mjeku i skuadrës franceze Fabrice Bryand i tha L'Equipe se afati kohor, që do të nënkuptonte asnjë pjesëmarrje në fazën e grupeve për kapitenin e ri të Francës është minimumi dhjetë ditë.

Sakaq, vetë ylli i “Gjelave” duket se e ka marrë me sportivitet incidentin që mund t’i kushtojë Europianin, pasi në orët e para të mëngjesit të së martës, shkroi në platformën X: “A keni ndonjë ide për maska?”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë