Ana e errët

“Mbaj shufër se kam frikë nga errësira”… Në modë shitja online e shkopinjve të policisë

Shkopinjtë e bejzbollit dhe përdorimi i tyre, nuk janë më lajm. Ky është kthyer një trend që megjithë pasojat ligjore, nuk ka të ndalur. Por veç tyre, tanimë moda për të qenë doemos i armatosur, ka sjellë shitjen online të shufrave të ngjashme me ato të policisë apo të një shkopi që përdoret për elektroshok dhe që sipas njoftimeve online, të shpëton nga agresorët.

Në një nga uebsajtet në Facebook, të vëzhguara nga Gazetasi.al, ofertohen armë të konsideruara sipas ligjvënësve si armë të ftohta dhe të ndaluara, siç janë dorezat goditëse edhe pse me elekroshok apo shkopinjtë qofshin ato edhe për vetmbrojtje. 

“Paguaj në dorëzim, transporti falas vjen aty ku ndodheni ju”. E njëjta gjë ndodh edhe për shkopinjtë profesionalë policie me hapje, i projektuar për  goditje të forta, thuhet më tej dhe me metërial cilësor.

Mes mjeteve të ndaluara, ofertat on line shesin armë të tjera të ndaluara, si dorezë me elektroshok apo shkop gome, me vlerë 15 mijë lekë apo shkopinj metalikë që hyjnë mes mjeteve më të këkruara nga të rinjtë.

Por çfarë ndodh në terren?

Juxhin A., një 23-vjeçar nga Fushë Kruja, sipas burimeve policore të Gazetasi.al, përfundoi në pranga, mbasi ju gjet nën posedim një shkop i tillë, me hapje si shkopinjtë e policisë.

Shkresat hetimore të komisariatit numër dy, ilustrojnë se i riu u dërgua në paraburgim nën akuzën e prodhimit, mbajtjes, blerjes dhe shitjes pa leje të armëve të ftohta të parashikuar nga neni 279 të Kodit Penal.

Në dokumentet e treguara Gazetasi.a, thuhet: J.A., u konstatua nga seksioni i forcës së posaçme ‘Shqiponja’, pasi gjatë kontrollit të kryer ndaj tij në rrugën “Frederik Shiroka” ju gjet në çantë një shufër metalike si ato të policisë.

Shufra me tre hapje  ishte funksionale – detajon oficeri i policisë T.L., ndërsa kjo shufër është sekuestruar si provë materiale dhe është dërguar për ekspertim teknik vlerësues, ndërkohë që i riu u dërgua në qeli.

I riu që sipas burimeve të Gazetasi.al, mësohet se punonte kamerier, ka dëshmuar se e bleu shufrën e ngjashme si të policisë për disa arsye, por më kryesorja ishte frika nga errësira që e shtyu të armatosej.

“Për shkak të disa konflikteve që kanë ndodhur me familjarët e mi, para tre ditësh kam filluar të mbaj shufrën metalike për vetmbrojtje. Punoj si kamerier në Fushë Krujë dhe punoj turni i natës”, deklaron i riu.

Sipas tij, sa herë largohet apo shkon për në banesë, ai ka frikë nga errësira. “Shtëpinë e kam rreth 15 minuta larg dhe një copë rrugë nuk ka ndriçim dhe kjo errësirë mua më tremb. Personat  me të cilët familjarët e mi kanë konfikte, njihen si persona problematikë në zonë dhe me precedent të mëparshëm kriminalë”, ka thënë ai.

I riu insiston se madje në mosëmarrëveshje e sipër, ai është sulmuar në një rast prej tyre në zonën e Fushë-Krujës. “Këtë fakt e kam denoncuar në prokurori dhe gjatë hetimeve të atëhershme, kam marrë cilësinë e viktimës së veprës penale. Kjo ngjarje më ka frikësuar dhe duke qenë se ky konflikt u shfaq përsëri pikërisht para tre ditësh, vendosa të blej një shufër të tillë”, citohet të ketë deklaruar J.A., që pavarësisht se çfarë rrëfeu nuk shpëtoi dot nga prangat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë