Kosova

Mbahet sot në Bruksel takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit

Nga Gazeta ‘Si’- Në Bruksel sot zhvillohet takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.

Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Ndërkaq, para takimit Serbia nuk bëri të ditur se kush do të udhëheqë delegacionin e saj.

Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.

Burimet në Bruksel thanë se takimi do të jetë rast që palët të paraqesin prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme, në të cilat priten rezultate konkrete.

Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen plani i punës dhe takimet e radhës.

Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçë, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”.

“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar me 2 maj 2023”, tha ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të formonin këtë komision të përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të dialogut vitin e kaluar.

Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023 mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë