Drejtësia

Erion Veliaj kërkon dy javë kohë për dosjen. SPAK është kundër. Të pandehurit e tjerë duan ndarjen e çështjes

Nga Gazeta ‘Si’- Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar për disa vepra penale, kërkoi 2 javë për t’u njohur me dosjen, por prokurori i SPAK, Ols Dado, tha se e sheh “të panevojshme.

Në seancën e katërt në radhë për nga gjykimi në GJKKO, Veliaj mungoi dhe sipas avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në sallë, ai po vijon me leximin e akteve hetimore që i janë dorëzuar në qeli.

Ndreca i kërkoi gjykatës 2 javë kohë për t’u njohur me dosjen. Ai theksoi se ende nuk i është vënë në dispozicion dosja në mënyrë elektronike dhe detyrohet të shkojë çdo ditë në gjykatë për ta lexuar dhe se ka konstatuar se dosjes i mungojnë 24 fashikuj (142-166).

“Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 166. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane”, deklaroi Plarent Ndreca.

Por Ols Dado ka kundërshtuar, pasi sipas tij, Veliaj ka ndryshuar disa mbrojtës gjatë procesit, ndërsa aktet i janë dhënë edhe në formë elektronike, edhe fizike.

Mund të ndodhë që edhe pas një muaji, me të njëjtën situatë të ndryshimit të avokatit, ai të kërkojë përsëri kohë për t’u njohur me aktet,” tha prokurori.

Ndërkohë, 7 të pandehur, mes tyre Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka, kanë kërkuar veçim të çështjes dhe gjykim të shkurtuar, ndërsa prokurori Olsi Dado tha se SPAK është dakord, por është kundër shpalljes së moskompetencës lëndore për këtë çështje, duke theksuar se gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar rastin.

Ndërkohë, gjykata ka kërkuar dhe prezencën e policit të burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i cili është shoqëruar nga Policia e Burgjeve për në Gjykatën e Posaçme.

Baci akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO. Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit të Bacit, Artan Simoni.

Po ashtu, në seancë ka pasur debat mes avokatëve dhe gjykatës lidhur me rolin dhe kërkesat procedurale. Avokati i Ajola Xoxës, Maks Haxhia kërkon të sqarohet nëse avokatja e caktuar ishte njohur me dosjen, duke theksuar rëndësinë e procesit të rregullt ligjor.

Prokurori i SPAK, Ols Dado, nga ana tjetër ka kundërshtuar, duke u shprehur se Haxhia është në cilësinë e avokatit dhe jo të kryetarit të Dhomës. 

Ndreca ka mbështetur Haxhian, duke argumentuar se cilësitë e një avokati nuk mund të ndahen dhe lidhen me procesin e rregullt ligjor.

Në seancën e fundirt, Dado akuzoi të pandehurit dhe mbrojtjen për zvarritje të qëllimshme të procesit, duke theksuar se prej 8 muajsh gjyqi nuk po ecën për shkak të sjelljes së tyre.

Nga ana tjetër, avokati Ndreca e kundërshtoi këtë pretendim, duke deklaruar se nuk ka strategji për shtyrje, por përkundrazi, mbrojtjes nuk i është dhënë ende e plotë dosja për t’u përgatitur. Ai theksoi se procesi është shumë voluminoz dhe kërkon kohë për një mbrojtje të drejtë.

Erion Veliaj dyshohet për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave, akuza të cilat i ka mohuar publikisht. Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe 16 persona të tjerë.

Ndërkohë, në orën 13:00, Gjykata Administrative ka caktuar seancën gjyqësore lidhur me padinë e Veliajt ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë