Ne rrjet

Zgjedhjet lokale në Luginën e Preshevës, Arifi: Shqiptarët të vijojnë të drejtojnë Bujanocin

Nga Gazeta ‘Si’ – Nga ora 07:00 e mëngjesit në Luginën e Preshevës dhe Bujanocit është hapur procesi i votimit për zgjedhjet e nivelit lokal.

Presheva ka rreth 43500 votues të cilët do të votojnë në 37 qendra të votimit për 39 mandate.Në Bujanoc kanë të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët do të votojnë në 59 vendvotime për 41 mandate.

Në Preshevë janë në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Ndërkaq, në Bujanoc po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.

Ky proporcion tregon se në Preshevë nuk ka rrezik të marrjes së pushtetit nga ana e subjekteve serbe, ndërsa Bujanoci e ka të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe daljen sa më të madhe të shqiptarëve në votime, në mënyrë që qyteti të ketë mundësi të udhëhiqet nga ana e shqiptarëve.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, votoi në qendrën numër 4 në Bujanoc.

Edhe pse një ditë më parë paralajmëroi për ndërhyrje, Kamberi u shpreh se informacionet e para tregojnë për një proces të rregullt dhe pa ndonjë problem.

“Sa i përket ndërhyrjeve në procesin zgjedhor, Serbia është një vend i cili është karakterizuar dhe legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të PE si një vend që ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Kemi pasur dy ditët e fundit ndërhyrje telefonike në formë të këshillave, sugjerimeve të votojnë për një listë këtu, këshillat vijnë nga telefonata me numër të panjohur, dyshimet janë që janë përfaqësues të organeve shtëtërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por që besoj se popullata jonë nuk do të bjerë pre e këtyre ndikimeve”, tha Kamberi i cili uroi që procesi të mbyllet qetësisht.

Kryetari aktual i Komunës së Bujanocit, njëherazi kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, vitoi në qendrën e tij të votimit. Ai tha se procesi deri më tani ka shkuar në rregull dhe uroi që të mbyllet kështu.

Arifi premtoi se do të respektojë marrëveshjen e koalicionit me Partinë për Veprim Demokratik të kandidatit Ragmi Mustafi, si dhe atë me Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqiprim Musliut, pasi është i interesuar që “shqiptarët të vijojnë të drejtojnë Bujanocin”.

Nagip Arifi

Në kuadër të këtyre zgjedhjeve, së fundmi me sloganin “Me mendje dhe zemër” në Prishtinë u mbajt një tubim mbështetës, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Kosovën Lindore për t’i tejkaluar pabarazitë që po i bëhen nga shteti serb. Në fjalën e tij, Kurti tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë