Rusët i janë drejtuar kutive të votimit që në orët e para të mëngjesit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Por ashtu siç edhe pritet, në këto zgjedhje që do vazhdojnë për 3 ditë, nuk do të ketë ndonjë surprizë, pasi pritet që Vladimir Putin të rikonfirmohet në një mandat të pestë si president i Federatës Ruse.
Kjo pasi përballë tij janë 3 kandidatë me profil të ulët politik, që nuk njihen si kundërshtarë të fortë, por edhe për faktin se Kundërshtarët e vërtetë të Putin ose janë në burg ose jashtë Rusisë, ndërsa më i rrepti prej tyre, Alexei Navalny, vdiq pak javë më parë në një burg Siberi.
Votimet po mbahen në 11 zonat e vendit, si dhe në rajonet e aneksuara nga Ukraina. Zgjedhjet zhvillohen në sfondin e një shtypjeje të pamëshirshme që ka gjymtuar median e pavarur dhe grupet e të drejtave të njeriut, gjë që i ka siguruar presidentit Putin kontrollin e plotë të sistemit politik.
Po ashtu këto zgjedhje mbahen ndërsa agresioni i Moskës në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë. Ukraina dhe Perëndimi e kanë dënuar mbajtjen e votimeve në rajonet ukrainase të pushtuara nga forcat ruse. Sipas analistëve Ukraina është në qendër të këtyre zgjedhjeve, pasi Putin dëshiron të përdorë fitoren si dëshmi se lufta e tij gëzon mbështetje të gjerë. Opozita, ndërkohë shpreson të përdorë votën për të demonstruar pakënaqësinë e saj si me luftën ashtu edhe me Kremlinin dhe u ka bërë thirrje të pakënaqurve me Putinin ose me luftën, të paraqiten në qendrat e votimit mesditën e së dielës, në shenjë proteste.
“Duhet të përdorim ditën e zgjedhjeve për të treguar se ekzistojmë dhe jemi shumë prej nesh, jemi njerëz të gjallë, të vërtetë dhe jemi kundër Putinit. … Çfarë do të bëni më pas varet nga ju. Ju mund të votoni për çdo kandidat përveç Putinit. Ju mund të prishni fletën tuaj të votimit”, tha e veja e tij, Yulia Navalnaya.
Vëzhguesit nuk kanë shpresë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Përtej faktit se zgjedhësve nuk u është lënë mundësi e madhe zgjedhjeje, mundësitë për vëzhgim të pavarur janë shumë të kufizuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




