Në mungesë të debatit në Parlament dhe pas urdhrit të Edi Ramës për t’u ndaluar të tijve përballjet televizive me përfaqësues të PD-së dhe LSI-së, beteja mes mazhorancës dhe opozitës po zhvillohet në distancë.
Distanca nuk është kufizuar vetëm përmes rrjeteve sociale dhe mediave shqiptare, por ka dalë përtej kufijve. Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar ditët e fundit zhvillimet në vendin tonë dhe mes tyre, nisur edhe nga afërsia gjeografike, mediat italiane janë më aktivet.
Ato kanë publikuar kohët e fundit disa reportazhe për protestën e opozitës, dorëzimin kolektiv të mandateve, akuzat për manipulimin e zgjedhjeve e deri tek hetimet mbi dosjen e famshme “339”.
Mënyra sesi është pasqyruar Shqipëria për publikun italian është interpretohet ndryshe nga mazhoranca dhe ndryshe nga opozita. E para e minimizon protestën e opozitës dhe e lidh atë me reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK-ut. E dyta mundohet të ndërkombëtarizojë kauzën e saj dhe flet për një qeveri e Kryeministër të lidhur me krimin dhe të mbajtur nga krimi e oligarkët në pushtet.
Me këtë logjikë lexohen edhe dy intervistat e fundit të dhëna nga Edi Rama dhe Monika Kryemadhi për RaiNews. Kryeministri flet i vendosur për të mos dhënë dorëheqjen dhe çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në intervistën e dhënë për gazetaren Laura Tangherlini.
“Kjo është një protestë e një establishmenti që u mund thellë dhe që ka arsye për të protestuar sepse nga njëra anë ata janë të dëshpëruar sepse nuk mund të fitojnë. Janë zgjedhjet për pak muaj dhe nuk kanë shanse dhe nga ana tjetër ata janë shumë të shqetësuar për reformën rrënjësore të drejtësisë që ne kemi ndërmarrë me Komisionin Europian edhe me mbështetjen e SHBA-ve që po largon nga drejtësia të gjitha shefat e mëdhenj të një sistemi që ka garantuar imunitet për politikanët dhe për këta këtu”, deklaron Rama.
Për Monika Kryemadhin, protesta e opozitës është një lëvizje popullore.
“Sjellja e tij (Edi Ramës) është vërtetë një problem serioz. Nëse ai nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh, është problem i tij dhe jo problem i popullit shqiptar, apo opozitës”, thotë ajo në intervistën e dhënë për të njëjtën gazetare.
Gazetarja italiane e ngacmoi kryetaren e LSI-së, si bashkëshorte të Presidentit të Republikës, duke e pyetur se ç’mendim ndante Ilir Meta për aksionin e opozitës dhe djegien e mandateve.
“Ne jemi dy persona komplet të ndryshëm nga ana e karakterit, por gjithsesi në familje kemi gjithsecili rolin e tij. Unë jam nëna që kujdeset për fëmijët dhe ai është babai i shtëpisë, sigurisht ai mendon se aktiviteti ynë është pak i çuditshëm, pak si tepër agresiv nga pikëpamja e vendimeve që marrim, por kjo është e vetmja mënyrë që ne të ndezim shpresën te populli”, iu përgjigj ajo.
Po për RaiNews foli para protestës së të enjtes edhe Lulzim Basha. Ai përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje me Edi Ramën dhe këmbënguli se opozita ka në krah popullin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




