Ka nisur ters aventura e Mërgim Mavrajt tek Ingolshtadi në Gjermani. Mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares është dëmtuar ditën e martë në stërvitje. Një frakturë në dorë e ka detyruar futbollistin kuqezi të lërë stërvitjen dhe të kryejë me shpejtësi ekzaminimet përkatëse për të mësuar shkallën e dëmtimit. Në spital është mësuar se Mavraj kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, kështu që i është nënshtruar asaj menjëherë.

Klubi i Ingolshtadit ka bërë me dije në faqen zyrtare se operacioni ka kaluar me sukses dhe Mërgim Mavraj do të kthehet shpejt në skuadër, por pa përcaktuar kohën e mungesës së tij. Pak javë më parë Mavraj prishi kontratën me Arisin në Greqi, ku nuk arriti ta gjente veten. Mbrojtësi 32-vjeçar kërkoi kthimin në Gjermani, ku ka kaluar gjithë karrierën e tij dhe zgjodhi Ingolshtadin në Bundesligën 2, por nuk ishte e thënë që gjithçka të shkonte mirë për kapitenin kuqezi. Gjithsesi, për ndeshjet e para eliminatore të Europianit pritet që Mavraj të jetë i gatshëm për Kombëtaren.

Pak ditë më parë u dëmtua edhe një tjetër titullar i formacionit kuqezi, Eros Grezda. Gjatë një dyluftimi me Zhermen Defo në stërvitjen e Gllasgou Rejnxhërs, Grezda dëmtoi kaviljen dhe përfundoi më pas duke ecur me paterica. Sulmuesi i krahut, sipas shtypit skocez, parashikohet të qëndrojë rreth një muaj jashtë fushave për shkak të këtij dëmtimi, që natyrisht do të ndikojë në formën e tij sportive, por deri në mars, kur nisin eliminatoret, edhe Grezda do të jetë i gatshëm për trajnerin Kristian Panuçi.
Pozitiv është edhe fakti që dy nga sulmuesit me përvojë të Kombëtares, Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi, kanë ndërruar skuadër dhe mund të luajnë rregullisht tani e tutje. Sadiku është kthyer te Lugano, një ekip që do ta ndihmojë të kapë formën optimale. Cikalleshi është kthyer tek Osmanlispori, ku me siguri do të ketë aktivizim të plotë dhe do të jetë një “armë” plus për Panuçin.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




