Gazeta Si – Borusia Dortmund, nëpërmjet këshilltarit Matias Samer, ka pranuar publikisht interesimin e Mançester Sitit për sulmuesin Erling Haaland. “Siti është interesuar, nuk është një sekret. Pashë shifrat dhe mora një goditje të fortë, gati më ra të fikët, – ka deklaruar Samer për ‘Amazon Prime Video’. – Gruaja më ndihmoi të vija në vete”.
Sipas “Daily Mail”, Mançester Siti është gati ta mbulojë me flori bomberin norvegjez, me një pagë prej 30 milionë eurosh në vit.

Ish-fituesi i “Topit të Artë” e quan thuajse të sigurt transferimin e Haland te ‘qytetarët’: “Guardiola dhe Haland do të përfitojnë nga njëri-tjetri. Guardiola, me të cilin kam punuar 3 vjet te Bajerni, ka një vizion të caktuar loje, por mendoj se mund ta adaptojë për një qendërsulmues si Erling. Duhet edhe ai të mësojë nga lojtari, duhet të gërshetohen dhe do të jetë interesante”.
Gara për shërbimet e Haland duket se tashmë është mes dy skuadrave, me Real Madridin të vetmin klub që mund të rivalizojë me Sitin, që është gati të bëjë çmenduri për fenomenin skandinav. Në tavolinë janë 600.000 pagë javore, që do ta bënin atë më të paguarin e Premier Ligës.
Klauzola e prishjes së kontratës me Borusian është fiksuar në 75 milionë euro, kurse 25 milionë të tjera duhen për komisionet e agjentit Mino Raiola dhe babait të lojtarit, që ka luajtur për Sitin dhe e sheh pozitivisht kalimin e tij në Premier.
Reali, në anën tjetër, qëndron vigjilent, por objektivi numër 1 për të mbetet francezi Kilian Mbape. Me një Benzema ende në nivele të larta, vështirë se spanjollët mund të bëjnë ofertën e Sitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




