Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se përdorimi i maskave nga çdo qytetar është një masë kryesore për kufizimin e përhapjes së Covid-19.
“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit,” tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, shkelësit do të penalizohen me 2 mijë lek të reja. Më tej ministrja Manastirliu tha se kemi një kapacitet me më shumë se 500 shtretër të gatshëm posaçërisht për pacientët e prekur nga Covid19. Duke deklaruar se në vendin tonë ka aktualisht një situatë epidemiologjike me përhapje komunitare në disa bashki, Manastirliu tha se hapëm përsëri spitalin e dytë Covid, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të pacientëve, si pasojë e shtimit të numrit të infeksioneve.
“Sot kemi në dispozicion 90 mijë teste dhe po hapim dhe një laborator të dytë në QSUT”, tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.