Gazeta Si – Katër zyrtarë të Bashkisë së Devollit, janë pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.
Në një njoftim për mediat, prokuroria thotë se ata kanë realizuar procedura fiktive për blerjen e mallrave të ndërtimit për Bashkinë Devoll, dhe nuk kanë kryer asnjë punim.
Por pasi është shpallur fituesi ndaj të kallëzuarve është ngritur akuza se kanë kryer në mënyrë fiktive si procedurën e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve, ashtu edhe daljen e tyre nga magazinimi dhe përdorimi për punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë.
Kallëzuesi pretendon se nuk është blerë asnjë mall. Gjatë hetimeve të prokurorisë, nga administrimi i pamjeve filmike për periudhën e hetimit nuk shihen hyrje-dalje ngarkesa me materiale ndërtimi. Në vijim të konkluzioneve të nxjerra nga ekspertët, në rrugët rurale të fshatit nuk rezulton të ketë shtresa të reja çakulli apo të ndonjë ndërtimi.
Nga hetimet e kryera, Prokuroria arriti në konkluzionin se punonjësit e bashkisë së Devollit, shtetasit:
G.K. – Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative;
A.C. – Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve Publike;
K.M. – Përgjegjës në Sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike;
E.M. – Magazinier në Sektorin e Menaxhimit financiar.
kanë konsumuar veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe Falsifikimi i dokumenteve’.
Hetimi provoi se akti i marrjes në dorëzim të materialeve më 21.09.2022 nuk pasqyron dorëzimin faktik të të gjitha materialeve.
Sipas organit të akuzës, personat duhet të mbajnë përgjegjësi penale për veprat e mësipërme ndaj në bazë të kërkesës së Prokurorisë, gjykata vendosi pezullimin nga detyra të punonjësve të bashkisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




