Drejtësia

Mashtronte qytetarët, burg për ‘prokurorin e SPAK’ në Sarandë

Gazeta Si – Alban Muço, 49 vjeç, i cili u arrestua pasi hiqej si prokuror i SPAK-ut dhe mashtronte qytetarë, do të qëndrojë në qeli.

Muço doli këtë të shtunë para Gjykatës së Sarandës, ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa u deklarua i pafajshëm.

Ai pretendoi se kishte krijuar bindjen se vepronte si prokuror i SPAK-ut. “Më ishte krijuar bindja se isha prokuror i SPAK-ut. Jam i pafajshëm, nuk kam dëmtuar asnjë qytetar”, – deklaroi Muço në sallën e gjyqit.

Hetimet kanë zbuluar se Alban Muço ka mashtruar disa të rinj në Sarandë, duke u premtuar punësim në institucione të drejtësisë. Ai u kishte premtuar një pagë mujore prej 2 mijë e 800 eurosh, plus dieta dhe shpenzime të tjera.

Në seancë, avokati i tij, Armand Çaushi, kërkoi caktimin e masës më të lehtë, duke argumentuar se Muça nuk ka rrezik për t’u larguar dhe se nuk ka qëllim kriminal.

“Klienti im ka pretenduar se po jetonte në një fazë deluzionale, që mendonte se ishte prokuror, por që pretendon se nuk ka sjellë asnjë pasojë të rëndë apo pakësim të pasurisë së personave të tjerë” deklaroi Çaushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë