Gazeta Si – Një administrator dhe dy operatorët e një “Call centeri” në Tiranë, janë arrestuar, pasi mashtronin shtetas gjermanë dhe spanjollë për të investuar në bursa.
Ata, pasi telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Policia ka arrestuar administratorin Doris Telhallari dhe 2 operatorët Eldjon Lleshi dhe Ergi Ali.
Ndërsa në kërkim është shpallur pronari A. T.. Call Center ishte në zonën e ish-Parkut dhe i pa regjistruar në organet kompentente.
Të huajt që janë mashtruar janë spanjollë dhe gjermanë, informon Prokuroria Tiranë, duke njoftuar se ka goditur bërthamën operative “Forex”.
Tre të rinjtë e ndaluar dyshohet se shërbenin si “bërthamë operative administrimi të platformave Forex që më pas shpërndaheshin në operatorë të tjerë”.
Policia ka sekuestruar 4 kompjuterë, celularë lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Hetimet vijojnë për kapjen e pronarit dhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë krimi.
Pas hetimeve, u arrit të zbulohej se në rrugën ‘Frosina Plaku’ është gjendur një ambient me fasadë xhami brenda së cilës kishte orendi të ndryshme që shiteshin, në një cep të këtij ambienti janë gjendur tre kompjuterë të ndezur, ku në pamjen kryesore të tyre kishin një numërator që shërben për thirrje telefonike dhe një databazë klientësh.
Në krah të kompjuterave ka pasur blloqe shënimesh brenda të cilave ka pasur informacion për veprimtarinë e Forex pasi janë përshkruar informacione për cdo telefonatë të thirrur, shumën e depozituar dhe arsyen pse klienti pranonte apo refuzonte në lidhje me transaksionin.
Në momentin e hyrjes në ambient janë gjetur tre personat të pozicionuar para kompiuterave.
Në njërin prej kompjuterave ka qënë dhe një USB me numra të llogarive dhe transaksioneve bankare dhe foto kartash identiteti të klientëve.
USB-ja gjithashtu ka pasur dhe databazë klientësh me të dhëna personale të tyre.
Në vijim janë administruar biseda ku flitet dhe udhëzohet për platforma nga ku merreshin nga shtetas të huaj kundrejt përqindjes, transaksione dhe llogari bankare.
U arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin në mënyra të ndryshme në banka të ndryshme të huaja si në Poloni, Britani, Abu Dabi etj, si dhe u arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin dhe në BitCoin
Kjo nuk është hera e parë që një “Call Center” mashtron klientë vendas dhe të huaj, ndërsa përdorin skemën “Forex”.
Ky rrjet ofron mundësinë për t’u futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj, të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




