Gazeta Si – Administratori i një “Call Center”-i është arrestuar dhe pesë punonjëse (operatore) janë proceduar penalisht, pasi akuzohen se mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.
Me të njëjtën akuzë është shpallur në kërkim edhe pronari i “Call Center”-it.
Me finalizimin e operacionit “Trade”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Tiranë u arrestua administratori i subjektit, L. Ll., 28 vjeç dhe proveduan penalisht 5 punonjëse (operatore) V. L., 25 vjeçe, E. H., 22 vjeçe, I. P., 22 vjeçe, S. H., 26 vjeçe dhe A. Ç., 22 vjeçe. Ndërkohë u shpall në kërkim dhe pronari G. C., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi L. Ll. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin G. C., në rrugën “Myslym Shyri”. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuara si operatore shtetaset V. L., E. H., I. P., S. H. dhe A. Ç., të cilat, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex,” njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




