Nga Gazeta Si- 7 persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës pasi mashtronin të huaj, kryesisht italianë duke u premtuar investime në bursën ‘Forex’ për të përfituar.
B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., akuzohen për veprën penale ‘Mashtrimi’.
Pas hetimeve të nisura në 2023, rezultoi se 7 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i.
Nga këqyrja e “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit. Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdhaja në këmbim.
Konkretisht, personi i cili ishte i regjistruar si L.C (italian). komunikon në ‘WhatsApp’, duke i thënë përdoruesit se ka kryer trasfertën prej 8,700 euro. Kjo pagesë rezulton se është kryer pasi ai ka firmosur një kontratë, e cila parashikonte një vlerë prej 100,000 euro prej tij dhe për këtë shkak në 2023, ai ka kryer tranfertën bankare, e cila në përshkrim ka, se kryhet në formë huaje. Në vijim të bisedave rezulton se ky shtetas i ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo është një mashtrim i madh. Në datë 13.12.2023 i kërkohet sërish që të kryejë një transaksion në vlerën prej 3,500 euro, me justifikimin se është penalitet për shkak se transferta e parë ka shkuar me vonesë.
Gj.R i punësuar në “Ozar” shpk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa L.Sh, ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj. Në këtë skemë, E.A., figuron si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k.
A.Ll ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa B.B., dhe K.D. kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi aktivitetin që zhvillohej në këto ambiente.
J.J. është personi kryesor i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




