Ka ndodhur

Mashtronin qytetarët se shisnin karta bankare të klonuara, arrestohet një 23-vjeçar. Nën hetim tre të tjerë

Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe tre të tjerë janë vënë nën hetim pasi akuzohen se mashtronin se shisnin karta të klonuara.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “X-Card”, është bërë ndalimi i të riut i cili u premtonte, nëpërmjet platformave online, karta të klonuara bankare, në këmbim të vlerave monetare.

Gjithashtu u proceduan penalisht tre të rinj 22 vjeçar, të tre banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar, se për një periudhë 1-vjeçare, janë mashtruar në platforma online rreth 100 shtetas te ndryshëm në shtetin shqiptar dhe të vendeve të BE-së, duke ju reklamuar se do ju shisnin karta bankare të klonuara, kundrejt vlerave monetare, të cilat kryheshin me këste.

Shumat e përfituara nga autorët nga kjo veprimtari, arrijnë shifrën e 60 mijë eurove. Vijon puna për dokumentimin dhe identifikimim e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë