Drejtësia

Mashtroi klientët dhe u mori rreth 200 mijë euro për të blerë banesë, arrestohet avokati në Vlorë

Gazeta Si – Prokuroria e Vlorës ka lëshuar urdhër arrest për avokatin Delo Meçani, i cili akuzohet për veprat penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Me vendim të gjykatës, Delo Meçani është lënë në “arrest shtëpie”. Avokati dyshohet se ka përvetësuar nga pasuria e dy personave, nëpërmjet mashtrimit e shpërdorimit të besimit. Ishin këta persona, S. S., dhe B. E., të cilët bënë denoncimin në polici për avokatin.

Sipas prokurorisë, Delo Meçani u ka marrë 19.200.000 lekë dy personave duke i gënjyer dhe shpërdoruar besimin e viktimave, me qëllim për të përfituar padrejtësisht vlerat monetare dhe duke konsumuar elementët e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda dhe më shumë se një herë”.

Referuar transferave të kryera në llogarinë bankare të avokatit, Meçani ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të parave, 2.000.000 lekë, në llogarinë e një tjetër personi A. A., me përshkrimin këst për blerje apartamenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë