Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për nigerianin, Sebastian Negbenedor i cili akuzohet për veprën penale “mashtrim kompjuterik”.
I dyshuari u denoncua nga biznesmeni Erges Baxha, i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij të detergjentëve të importuar nga Italia në Sauk.
Prej vitesh ai komunikonte me një adresë emaili me palën italiane ku bënte porosinë dhe pasi merrte mallin, u dërgonte transfertën e parave përmes bankës.
Një ditë nga emaili i palës italiane, i vjen një kërkesë që pagesën të mos e bënte më në llogarinë e kompanisë në Itali, por në Gjermani me faturën përkatëse.
Biznesmeni, fillimisht pa se emaili ishte i njëjtë dhe aty ishte fatura e saktë e kompanisë italiane e dërguar në komunikimet e mëparshme elektronike.
Duke ditur që janë kompani shumëkombëshe, kreu pagesën dhe vetëm më pas u konstatua se në email ndryshonte një germë, pra nuk ishte i njëjti me kompaninë italiane.
Pas disa kohësh ai kontaktohet nga kompania Italiane pasi nuk kishin marrë shumën prej 25.000 eurosh nga ku kuptoi se pagesën e kishte bërë në një adresë tjetër.
Hetimet zbuluan se përfituesi ishte nigeriani, Negbenedor. Pre e këtyre mashtrimeve kanë rënë edhe kompani të tjera në Shqipëri si pasojë e nivelit të ulët të mbrojtjes kibernetike apo përdorimit të fjalëkalimeve të thjeshta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



