Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës vendosi të sekuestrojë llogaritë bankare në një vlerë totale 10 milionë euro të 10 personave dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi, nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’.
Në një njoftim për mediat, thuhet se “nga aktet e administruara, rezultoi se Arben Meskuti, Kejda Seferi, Elda Ibro dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet ‘Microcredit Albania’ shpk dhe ‘Final’ shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme”.
Për to, Prokuroria e Tiranës thotë ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta persona dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.
“Ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto shuma monetare, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare për shtetasit: Arben Meskuti, Ernela Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Alketa Goxha, Edmond Mato, Jordisa Metaj, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha. Shtetasit në fjalë, kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.