Drejtësia

Mashtrimi me banesat sociale, GJKKO dënon me 5 vite e 8 muaj burg 3 ish-zyrtarë në Durrës

Gazeta si – Gjykata e Posaçme dënoi me 5 vite e 8 muaj heqje lirie 3 ish-zyrtarë në Durrës që premtonin përmes mashtrimit banesa sociale në këmbim të shumave monetare.

Kështu, gjykata  dënoi 2 vite e 4 muaj burg Gëzim Sylaj, 1 vit e 4 muaj burg Vasil Karasaliun dhe 2 vite burg Viola Memën.

Ndërsa 4 të pandehur të tjerë, u dënuan në total me 5 vite e 4 muaj burg, por ky dënim u pezullua dhe u vendosën në shërbim prove. 

Sipas hetimeve këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, u premtonin qytetarëve kundrejt parave dhënien e banesave sociale në Durrës.

Ata akuzohen për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave me funksione publike” dhe vepra të tjera penale, në kuadër të një skeme mashtrimi që kishte si qëllim përfitimin e banesave sociale në Durrës.

Pas gjykimit të shkurtuar, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Etleva Deda dhe Erjon Çela shpalli fajtorë të gjithë të akuzuarit, duke vendosur masa të ndryshme dënimi – nga burgime efektive deri te dënime me kusht.

Gëzim Sylaj, i akuzuar për disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në bashkëpunim, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 4 muaj.

Ai do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme, duke nisur nga data e arrestimit, 19 nëntor 2024. Sylaj u dënua edhe për “mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Bashkëpunëtorët e tij – Vasil Karasalihu, Viola Mema dhe Behare Luzi – u dënuan me dënime nga 2 deri në 3 vite burg, të reduktuara përfundimisht në 1 vit e 4 muaj deri në 2 vite, për shkak të uljes ligjore të dënimit me 1/3. Mema dhe Luzi përfituan edhe nga bashkimi i dënimeve dhe secila u dënua përfundimisht me 2 vite burg.

Në rastin e Behare Luzit, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në provë për një periudhë 4-vjeçare, gjatë së cilës ajo do të jetë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës në Durrës.

Enxhi Çelaj u dënua me 1 vit e 10 muaj burg për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Edhe për të, dënimi u pezullua dhe ajo u vendos në provë për 3 vite e 8 muaj.

Ndërkohë, Gazmend Panxha u dënua me 10 muaj burg dhe Sokol Sylaj me 8 muaj, të dy me dënime të pezulluara, duke u vendosur në provë përkatësisht për 20 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë