Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar shtetasit Irisa Puca dhe Adrian Korriku me nga 10 vite burg (6 vite e 8 muaj, pasi përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar), të akuzuar për “mashtrim kompjuterik” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Përmes një njoftimi nga GJKKO, bëhet e ditur se ata do e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, sipas vendimit të trupës gjykuese me Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri.
Nga hetimet me autoritetet gjermane, rezultoi se Erlind Çekaj, së bashku me Irisa Puca, Endri Bulku dhe Ardian Korra, ishin personat që qëndronin pas platformave mashtruese të kompanisë së IT “PumaTS/SMCompany” të lidhur me kompaninë “Milton Group”.
Ndërsa Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave.
Pra, Irisa Puca dhe Adrian Korriku ishin pjesë e grupit të Amant Josifit, ndaj të cilëve SPAK mbylli hetimet më 10 shkurt të vitit 2024.
Josifi u arratis vetëm pak çaste para aksionit të SPAK dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetimet nisën fillimisht nga prokuroria në Gjermani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.