Nga Gazeta “Si”- Nëntë persona janë arrestuar në Itali, ndërsa 82 shqiptarë janë vënë nën hetim, pas një operacioni pjesë e të cilit ka qenë edhe SPAK, mbështetur nga Eurojust, autoritetet gjyqësore dhe ligjzbatuese në Itali.
Ky grup kriminal ka shitur ilaçe për pandeminë COVID-19 në Shqipëri, pasi i vidhte në sistemin publik në Itali, ndërsa 82 pacientëve shqiptarë u ka ofruar shërbim shëndetësor në spitalet italiane me letra false.
Mes personave të vënë nën hetim mësohet se ka edhe mjekë e biznesmenë shqiptarë. Sipas burimeve paraprake, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë dhe janë nën hetim katër mjekët shqiptarë: E.P., A.V., V.P., dhe I.P.
Ata kanë futur kontrabandë ilaçe për tumorin përmes dy biznesmenëve shqiptarë, që u hetuan në Itali dhe që kanë kompani udhëtimi, të quajtur N.Pulaj dhe A.Gjoka.
Ndërkohë, në pamjet e këtij operacioni, duken personat e përfshirë në këtë trafik që bëjnë shkëmbime mes tyre.
Shkëmbimet, të regjistruara nga policia, bëhen në rrugë, kafe ose në makinë, apo zyra ku shkëmbehen dokumente dhe para.
Autoritetet kanë filmuar këto shkëmbime, po ashtu edhe transportin, apo edhe blerjen e këtyre barnave në farmaci.
Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal edhe në këmbim të parave ose shërbime seksuale.
Po ashtu, kontroll është ushtruar edhe në shtëpinë e kardiologut Edvin Priftit, i arrestuar një vit më parë për korrupsion dhe i liruar më pas.
Rezultat i këtij operacioni ka qenë çmontimi i një rrjeti kriminal që dyshohet se ka kryer mashtrim ndaj sistemit kombëtar shëndetësor italian, duke i sjellë një dëm të madh shtetit italian përmes korrupsionit dhe trafikut të barnave me përmbajtje narkotike.
SPAK njoftoi ndër të tjera se janë sekuestruar më shumë se 500 mijë euro nga llogaritë bankare të të dyshuarve dhe barna me përmbajtje narkotike në vlerë prej 20 000 eurosh..
Grupi i Organizuar Kriminal dyshohet se vepronte mes provincës së Milanos dhe Shqipërisë. Me bashkëpunimin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet italiane.
Grupi organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme që do të lejojnë hyrjen e jashtëligjshme në Itali.
Hetimi dokumentoi lëshimin e çertifikatave të rreme mjekësore që vërtetojnë nevojën e shtetasve shqiptarë për trajtim urgjent mjekësor jetëshpëtues në Itali, gjë që i lejoi të hyjnë në vend dhe të marrin shërbime mjekësore dhe farmaceutike në kundërshtim me ligjin.
Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale.
Anëtarët e grupit organizuar kriminal gjithashtu dyshohen se janë të përfshirë në trafikun e barnave me përmbajtje narkotike, që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe janë shitur në Shqipëri.
Disa nga këto barna me përmbajtje narkotike ishin përdorur për të trajtuar pacientët me Covid-19, të cilat ishin shumë të kërkuara gjatë pandemisë.
Nga hetimet u konstatua regjistrimi i parregullt në sistemin shëndetësor kombëtar italian i të paktën 82 shtetasve shqiptarë ndërmjet janarit 2020 dhe qershorit 2021.
Këta pacientë kanë marrë të paktën 383 shërbime ambulatore dhe 1.554 vizita të specializuara, qëndrime në spital dhe receta, në kundërshtim me ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.