Gazeta Si – Në Shqipëri vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Platforma”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.
Në këtë kuadër, policia ka finalizuar një tjetër goditje, këtë herë në Tiranë, me operacionin e koduar “Recovery”.
Gjatë operacionit, u bë arrestimi i njërit prej organizatorëve të kësaj skeme mashtrimi, Agim Shehu, 36 vjeç, banues në Tiranë.
Dy bashkëpunëtorët e tij, ndodhen ende në kërkim, ndërkohë që forcat e rendit vijojnë punën për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, pasi akuzohen se ishin të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.
Po ashtu janë arrestuar edhe 6 punonjës në këtë subjekt, si dhe 4 të tjerë janë në hetim. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe celularë që i shërbenin mashtrimit.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan pajisje kompjuterike dhe celularë që shërbenin për realizimin e mashtrimeve financiare, kryesisht ndaj qytetarëve të huaj, të cilëve u premtoheshin fitime nga investime të rreme në platforma online.
Operacioni “Recovery” është pjesë e një hetimi më të gjerë ndërkombëtar, që synon çmontimin e rrjeteve kriminale që operojnë përmes mashtrimeve digjitale, duke dëmtuar ekonomikisht qindra qytetarë jashtë vendit.
NJë ditë më parë, një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër krimeve kibernetike, i koduar “Platforma”, është finalizuar edhe në Shqipëri nga SPAK, duke përfshirë disa shtete si Gjermania, Qipro dhe Izraeli.
Sipas SPAK, dyshohet se ky grup ka mashtruar mbi 100 persona në disa shtete, duke shkaktuar një dëm financiar që tejkalon 3 milionë euro.
“Nga ndërhyrja në këtë subjekt, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga, punonjësit, shtetasit I. K., 33 vjeç, banues në Farkë, L. V., 22 vjeç, banues në Krujë, E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u kapën në flagrancë, punonjësit, shtetasit A. P., 40 vjeçe, V. A., 38 vjeçe, K. A., 24 vjeçe dhe S. M., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për të cilët nisi procedim në gjendje të lirë. Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan 3 organizatorët e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet këtij call centeri, shtetasit A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç. Shtetasi A. Sh. u kap nga Policia dhe u vu në pranga, në kuadër të operacionit “Recovery”. Ndërkaq, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë”, – njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


