Ka ndodhur

Masat për festat, policia: Jo festime në shesh, shërbim i përforcuar

Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat për mbarëvajtjen e festave të fundvitit, por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit jemi në rregullat strikte të vendosura për shkak të pandemisë.
Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka, përmes një deklarate për mediat, ka bërë me dije masat e marra nga Policia, si dhe masat shtesë anticovid.
Duke nisur nga sot, ora policore do të ulet nga ora 22:00 në orën 20:30 deri më 4 janar. Ai tha se këte vit nuk do lejohen festimet në shesh ndryshe nga vitet e tjera, po ashtu nuk do lejohet hapja e bareve dhe restoranteve pas orës 20:30 si dhe lëvizja e qytetarëve pas të njejtit orar.
“Nisur nga situata e krijuar për shkak të COVID-19, duke filluar nga mbrëmja e ditës së sotme deri më datë 04.01.2021, orari i lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, si dhe mbajtja hapur e lokaleve që ofrojnë shërbime për qytetarët do të ndalohet nga ora 20:30 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë masa që pas orës 20:30 të mbrëmjes së sotme deri në orën 06:00 të mëngjesit të çdo dite deri më datë 4 janar, të mos lejojnë asnjë qytetar apo automjet që të lëvizë, si dhe asnjë lokal të mos jetë i hapur. Përjashtohen nga ky kufizim vetëm personeli shëndetësor, ai policor, ushtarak, gazetarët dhe ata që janë në punë turni i tretë në linjat e prodhimit të konsumit të përditshëm”, u shpreh Loka për mediat.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:
Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;
Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, duke identifikuar dhe mbajtur në vëzhgim automjetet që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë ata, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale;
Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit;
Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore nacionale, qytetase dhe ndërqytetëse, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, për parandalimin e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo me shpejtësi mbi normat e lejuara, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;
Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar në rast se do ketë fluks në hyrje duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare.
Shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare;
Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnëfishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.
“Në këtë kuadër po intensifikohen kontrollet për verifikimin e kushteve të prodhimit, magazinimit, tregtimit dhe përdorimit nga subjektet e licencuara të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrët”, vijon më tej ai.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit thotë se e “vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me komunitetin dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special ‘RENEA’ dhe Njësinë Speciale ‘FAST’”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë