Futboll

Masat për derbin, Policia nuk lejon tifozë pa kartë identiteti në stadium

Derbin e së premtes Tirana-Partizani pritet ta ndjekin një numër i lartë tifozësh dhe Policia e Tiranës ka shtuar masat për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje në “Air Albania Stadium”. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka hartuar planin e masave, që nuk përfshin vetëm ambientet e stadiumit, por një perimetër më të gjerë jashtë tij. Si zakonisht, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë momentit të kalimit të tifozërive. Sipas Policisë, segmentet rrugore që do bllokohen nga ora 15:00 e deri në përfundim të ndeshjes, janë:

Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
Lëvizja e tifozëve të Tiranës do kryhet: Xhamllik–ura e Rrugës së Elbasanit–rruga “Pap Gjon Pali II”–Stadium; Pallati i Operas–bulevardi “Dëshmorët e Kombit–rruga “Barjam Curri”–rruga “Pap Gjon Pali II”–stadium.
Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova”–sheshi para Gardës–rruga “Lek Dukagjini”-stadiumi. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura.

Tifozët e Partizanit në derbin e fundit. Gazeta Si, 27 shkurt 2020

Nuk lejohet hyrja pa dokument identifikimi
Në planin e masave Policia sqaron se nuk do të lejohet hyrja e tifozëve në stadium pa dokument identifikimi. Kjo është pika ku Policia përplaset me tifozët, veçanërisht ata të Partizanit, të cilët këmbëngulin për të hyrë pa kartë identiteti në stadium. Madje, grupimi “Guerrils”, ultras të Partizanit, kanë paralajmëruar një bojkot të mundshëm të ndeshjes, nëse Policia nuk tërhiqet në këtë pikë. Në derbi ka pasur shpesh probleme mes tifozërive, ndaj dhe Policia kërkon patjetër mjet identifikimi.
Njoftimi i Policisë vazhdon:
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit. Njëkohësisht, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium tifozë më fytyrë të mbuluar me shall, si dhe do të nxirren nga stadiumi tifozët që do konstatohen se kanë mbuluar fytyrën gjatë ndeshjes, në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë. Nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia si tifoz problematik.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive. Sjellim në vëmendje se për dy ndeshjet e fundit ku pati prishje të rendit e qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, Policia e Tiranës arrestoi 4 tifozë dhe procedoi penalisht 16 të tjerë dhe vijon punën për identifikimin edhe të shumë personave të tjerë të përfshirë në këto vepra penale. Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të tregojnë qytetari dhe të zbatojnë rregullat dhe ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë