Motosport

Masat ndaj Red Bull, gjobë 7 milionë dollarë dhe limit për pjesën aerodinamike

Gazeta Si – FIA ka bërë të ditura sot sanksionet ndaj skuderisë Red Bull për shkak se ka shkelur rregullat e limitit të shpenzimeve në vitin 2021, në masën 1,6%. Sanksionet janë një gjobë 7 milionë dollarësh dhe reduktim i zhvillimit të pjesës aerodinamike. Vetëm gjobë për Aston Martin.

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit vendosi që Red Bull-i të gjobitet me shumën e sipërpërmendur dhe të reduktojë në 10% totalin e orëve në galerinë e erës në raport me pozicionin që do të ketë në klasifikimin e konstruktorëve. Nëse zë vend të parë, nga 70% në dispozicion, kalon në 63%.

Foto ilustruse. Logoja e FIA-s. Gazeta Si, 28 tetor 2022

Me 450 mijë dollarë është gjobitur Aston Martin, skuadra tjetër së cilës i janë gjetur shkelje. Por ajo është konsideruar fajtore vetëm për shkelje proceduriale dhe jo shpenzimesh. Kjo është sentenca kundër Red Bull-it për kalimin e ‘budget cap 2021’, e vlerësuar në shifrën 1.8 milionë stërlina (1,6% më shumë se limiti).

Sentenca është fryt i një pakti. Në njoftimin e FIA-s qartësohet se ‘Cost Cap Administration’, enti që ka lëshuar certifikatën për skuadrrat konform rregullores së re financiare dhe që ka gjetur shkelje te Red Bull dhe Aston Martin, nuk ka evidentuar veprime të qëllimshme, të pandershme apo mashtruese. Nuk bëhet fjalë për fshehjen e asnjë informacioni.

Për këtë arsye është ofruar për skuadrat një pakt, duke parë natyrën e limituar të shkeljeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë