Kosova

‘Masat ndaj mallrave serbe, çështje sigurie, jo tregtare’, Kurti: Beogradi na e ka sjellë ushtrinë katër herë afër kufirit

Nga Gazeta ‘Si’ - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka sqaruar sot se masat e marra në lidhje me mallrat serbe, të cilat u anuluan dy ditë më parë, nuk ishin masa tregtare, por masa sigurie.

Ai përmendi faktin që Serbia katër herë ka dërguar pranë kufirit me Kosovën ushtrinë dhe aksionet në Veri ku u konfiskuan një sërë armatimesh.

“Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë. Kosova ka masa të sigurisë për shkak se për dy vjet na e ka sjellë katër herë ushtrinë afër kufirit dhe për shkak se kemi konfiskuar katër herë sasi të jashtëzakonshme, enorme të armatimit, në ndërkohë që grupi terrorist i Milan Radoiçiç mbetet i lirë në Serbi”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka tentuar të blejnë skanerë, por kanë marrë premtimin për donacion nga BE-ja dhe SHBA-ja. Ai tha se ende nuk e di se kur do t’i marrë Kosova skanerët.

“Nuk e di se kur do të jetë, por deri atëherë duhet ta bëjmë atë kontroll manual, i cili nuk është i mirë për doganierët tanë, por është i nevojshëm”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë