Futboll

Masat e reja i heqin dritat Vllaznisë, s’ka më ndeshje në mbrëmje

Edhe pse luhet pa tifozë, Vllaznia i ka zhvilluar në mbrëmje ndeshjet e saj në stadiumin “Loro Boriçi”, nën dritat e prozhektorëve, duke krijuar një atmosferë më të bukur. Por tani situata ndryshon dhe jo për faj të klubit shkodran. Ndeshja e radhës me Apoloninë është spostuar nga ora 17:00 në orën 14:00, për shkak ta masave të reja të qeverisë për pandeminë.

“Masat e reja të marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për luftën kundër Covid-19, kanë bërë që FSHF-ja të vendosë për ndryshimin e orarit të ndeshjeve të Superiores. Në këtë kontekst, Vllaznia-Apolonia, e planifikuar për t’u luajtur të shtunën në orën 17:00, do të luhet në orën 14:00”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit shkodran për ndryshimin e orarit.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me skuadrat e tjera të Superiores, që kanë planifikuar t’i luajnë ndeshjet në mbrëmje. Për këtë javë vetëm Vllaznia dhe Teuta kishin në program të luanin ndeshje me drita, por klubi durrsak ende nuk ka njoftuar zyrtarisht për ndryshimin e orarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë