Kosova shënoi të enjten rekord të rasteve te reja me Covid-19, plot 1009 qytetarë, një shifër kjo që prej ditësh po vjen vetëm në rritje.
Për pasojë, qeveria e Kosovës mori masa të reja të enjten me qëllim kufizimin e transmetimit të COVID-19 dhe për të zvogëluar vdekjet.
“Qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thuhet në vendim.
“Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në ora 01:00. Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër. Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri (3) metra. Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje”
Orari i klubeve të natës është zgjatur deri në orën 03:00 pas mesnate.
“Klubet e natës lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00. Kryerja e pagesave si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15. Në ambientet e mbyllura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës”, thuhet në vendim.
Ndërkaq nga 20 gushti e deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme, tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.
Mbajtja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është e detyrueshme në të gjitha rastet, përveç: Gjatë ecjes në ambient të jashtëm, vetëm; Gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër (4) persona; Gjatë vrapimit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike; Gjatë ngrënies apo pijes.
Në institucionet publike të Kosovës ndalohet hyrja e personave pa maska
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus se sa vendet ulese
Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në tre udhëtarë.
COVID19/ Shifrat rriten frikshëm në Tiranë, 274 raste të reja në gjithë Shqipërinë, asnjë vdekje 24 orët e fundit
Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga 4,799 testime, kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 274 qytetarë, ku numrin më të madh e mban Tirana me 112 raste, duke u rritur me thuajse 30 raste cdo dite.
Aktualisht janë 1,752 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 37 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




